Katër ditë pune në javë - Model i qëlluar apo jo?

Një javë më e shkurtë e punës po vlerësohet si faktor i rëndësishëm i rritjes së produktivitetit të punonjësve dhe menaxhimit të balancit familje – punë. Por, sa është i lehtë implementimi?

Në shumë shtete të zhvilluara si Japoni, Islandë, Belgjikë e Mbretëri e Bashkuar, qeveritë kanë miratuar ndryshime për sektorin publik të cilat janë në fazën testuese të punës katër ditë në javë.

Kompanitë e sektorit privat në mënyrë individuale janë nismëtarë të implementimit në ndryshimin e orarit të punës.

Por, përderisa një ditë pune hiqet nga kalendari, volumi i punës mbetet i njëjtë dhe punonjësit detyrohen të adaptohen me praktika të reja dhe orar më të zgjatur gjatë katër ditëve.

Si filloi tranzicioni katër ditë pune?

Debatet për një javë më të shkurtë të punës nuk janë diçka e re. Që në vitin 1926, kompania Ford kishte standardizuar pesë ditë pune (e Hënë-e Premte) nga gjashtë sa ishin, me vetëm të dielën pushim.

Teoria e Hendry Ford për rritjen e produktivitetit të punonjësve në më pak ditë dhe me pagë të njejtë, u shndërrua në praktikë të suksesshme që përdoret edhe sot. Më 1950, kishte zëra për projektimin e një jave edhe më të shkurtë të punës në katër ditë. Por, kjo iniciativë pati zhvillim të ngadalshëm.

Një studim i Gallupit tregon se në mars të vitit 2020 vetëm 5 % e amerikanëve kanë punuar katër ditë në javë. Përhapja e pandemisë ndikoi në ndryshime drastike të mënyrës së punës. Vala e madhe e lëvizjes së punonjësve ka bërë që kompanitë të rimendojnë praktikat e rekrutimit dhe mbajtjes së talentit.

Nga pesë në katër ditë pune. Çfarë duhet të dimë?

Kompania ndërkombëtare PECB që operon edhe në Prishtinë, ka dy muaj që është duke implementuar katër ditë pune në javë. Për të zbatuar një praktikë të tillë është nevojitur analizë e detajuar dhe përgatitje që të ketë efektivitet, thotë Drejtori Ekzekutiv i kompanisë, Fitim Rama.

Ai theksoi se mënyra e re e punës (e Hënë – e Enjte) ka rritur produktivitetin dhe moralin tek punonjësit.

“Duke pasur një ditë më shumë pushim, punonjësit tanë kanë më shumë kohë të pushojnë dhe të bëjnë aktivitete zbavitëse, dhe kur të fillojnë javën të hënën janë më të pushueshem dhe më të përgatitur për punë. Gjithashtu, për shkak që janë vetëm katër ditë pune, të gjithë e kuptojnë që duhet të bëhemi më të mirë në prioritizimin e detyrave në mënyrë që punët më të rëndësishme të kryhen gjatë javës, e kjo i bën më produktiv dhe më të shpejtë. Për fund, aplikimi i teknologjisë në përmirësim të proceseve dhe operacioneve po na bën më produktiv si kompani, strategji kjo që do vazhdojmë ta aplikojmë në sfera të ndryshme", tha Rama.

Për t’a menaxhuar punën në mënyrë efektive, PECB si dhe shumë kompani tjera kanë shtuar një orë pune në katër ditët e punës në këmbim të një dite pushimi.

Hulumtimi i Gallup ka shfaqur ndikimet pozitive dhe negative të punës për një javë më të shkurtër. Derisa mirëqenia e punonjësve rritet dhe lodhja zvogëlohet për shkak të një jave pune katërditore, shkëputja aktive gjithashtu rritet; punëtorët që tashmë nuk janë mjaft të angazhuar me kompaninë kanë më shumë gjasa të largohen më tej nëse punojnë më pak ditë.

Për të implementuar drejtë këtë model të punës, kompanitë duhet të analizojnë dhe të krijojnë procese të punës për t'i mbajtur punonjësit e angazhuar.

Previous
Previous

A jeni të gatshëm për digjitalizim?

Next
Next

Girls in ICT