A jeni të gatshëm për digjitalizim?

Kalimi nga revolucioni industrial në revolucionin e informacionit ka përjetuar një tranzicion tejet dinamik. Revolucioni i informacionit i ka hapur rrugë revolucionit digjital që është duke prekur çdo aspekt të të bërit biznes.

Transformimi digjital është procesi i përdorimit të teknologjive digjitale për të krijuar - ose modifikuar proceset ekzistuese - të biznesit, kulturën dhe përvojat e klientëve për të përmbushur kërkesat në ndryshim të biznesit dhe përshtatje me tregun.

Ky transformim fillon dhe përfundon me mënyrën se si i qaseni klientit dhe lehtësimit të proceseve të punës. Kalimi nga letra në aplikacionet inteligjente për menaxhimin e biznesit, krijon mundësinë e të rimenduarit të të bërit biznes dhe tërheqjes së klientëve.

Sektori i shërbimeve financiare dhe bankare është një nga sektorët që është detyruar t’i nënshtrohet me shpejtësi transformimit digjital.

Sipas raportit “E ardhmja e punës, 2020” të Forumit Ekonomik Botëror, më shumë se 80% e kompanive në mbarë botën kanë përshpejtuar tashmë procesin e tyre të vazhdueshëm të digjitalizimit në përgjigje të krizës së COVID-19.

Strategjia e transformimit digjital të çdo organizate duhet të përgatitet mirë për të përshtatur aspektet e ndryshme të digjitalizimit. Ajo duhet të ketë një objektiv të përcaktuar, një plan biznesi gjithëpërfshirës dhe një fuqi punëtore të gatshme për të përballuar sfidat që pengojnë arritjen e transformimit.

Analiza e tregut  shërben për të nxjerrë madhësinë e tregut, potencialit dhe trendeve të fundit. Gjatë analizës përdoren shembuj që shërbejnë për të kuptuar se ku ka nevojë për ndërhyrje dhe përmirësime.

Strategjia e kompanisë e vendosë vizionin dhe planet e kompanisë për të ardhmen. Ky raport strategjik mund të ndryshojë në fund të procesit të transformimit varësisht nga gjetjet.

Analizimi i proceseve të punës është i domosdoshëm për të analizuar se cilat vegla mund të automatizohen apo të hiqen tërësisht.

Vlerësimi i kapaciteteve të brendshme për transformim - Kjo është njëra ndër pikat kryesore të procesit të transformimit digjital. Përmes vlerësimit të kapaciteteve të brendshme arrihet në përfundim se sa është e gatshme kompania dhe klientët e saj për të kaluar në sistem digjital. Në këtë proces bëhet analizimi i kapaciteteve njerëzore, infrastrukturës teknologjike, klientëve dhe furnizuesve nga ku krijohet edhe rruga drejt digjitalizimit. Në këtë pikë vlerësohet edhe kostoja e këtij procesi varësisht nga madhësia e kompanisë dhe modeli i transformimit të cilin e zgjedh.

Implementimi -Kompania në këtë fazë e bën mbikëqyrjen e ecurisë së procesit dhe pala e angazhuar për automatizim merret me testimin dhe implementimin.

Menaxhimi i ndryshimit dhe komunikimit – Për nje projekt te sukseshëm në çdo fushë duhët të ketë edhe nje kornizë për menaxhimin e ndryshimit dhe komunikimit. Kjo kornizë shërben si bazë për të mbajtur të informuar të gjitha palët e përfshira dhe të prekura nga projekti. 

Punonjësit duhet të mësojnë dhe të rimësojnë aftësitë e reja, kompetencat dhe mjetet e nevojshme për të përqafuar trendin digjital.

Transformimi i suksesshëm digjital duhet të fillojë në nivel individual dhe duhet të jetë i fokusuar në nevojat e njerëzve. Ndryshimi i pozitave të punës nuk është zgjidhja për kërkesat në rritje të revolucionit digjital. Ky proces kërkon përpjekje të vazhdueshme nga individë dhe organizata për të krijuar rrugë të reja ku njerëzit mund të bashkëpunojnë me teknologjinë për të nisur një kulturë të re të të mësuarit.

Objektivat përfundimtare të udhëtimit digjital të organizatës suaj mund të jenë të ndryshme, por rruga do të kryqëzohet mes përvojës njerëzore dhe teknologjisë.

Previous
Previous

Faktorët ndikues në mirëqenien mendore të punonjësve

Next
Next

Katër ditë pune në javë - Model i qëlluar apo jo?