E ardhmja e punës: Si të menaxhohen punonjësit nga distanca?
Tranzicioni i menaxhimit dhe proceseve të punës është bërë shumë më dinamik që nga përhapja e pandemisë dhe nevojës urgjente për adaptim me situatën e re. Kompanitë janë detyruar të marrin vendime të shpejta të riorganizimit që tashmë është e ardhmja e punës; fleksibile, larg turmave dhe e koncentruar në nevojat e punonjësve.
Sipas Indeksit të Trendit të Punësimit për vitin 2021 të realizuar nga Microsoft, 73 për qind e punonjësve kanë deklaruar se preferojnë punë hibride, ndërkaq 67 për qind janë deklaruar për prezencë në zyre.
Kompanitë të cilat nuk kanë ofruar fleksibilitet për punë nga largësia, janë përballur me lëvizje të stafit.
Nevojat e punonjësve tashmë janë primare dhe kjo është sfida kryesore e profesionistëve të Burimeve Njerëzore.
Sipas sondazhit të Gartner – Puna Hibride më 2021, 70 për qind e profesionistëve të Burimeve Njerëzore kanë deklaruar se janë të brengosur për bashkëpunimin me punonjësit më shumë se sa para fillimit të pandemisë.
As Kosova nuk ka qenë imune ndaj ndryshimeve të imponuara nga situata pas pandemisë. Kompanitë kanë shfrytëzuar këtë moment për të rimenduar mënyrën e re të punës dhe menaxhimit të angazhimit të punonjësve.
Arta Grubi (PHD), drejtoreshë e Burimeve Njerëzore në kompaninë e telekomunikimit IPKO, ka treguar se janë përshtatur me situatën e re të punës duke krijuar një sistem të ri të menaxhimit. Ajo theksoi se puna hibride ka sjellur edhe rezultate të mira dhe ka rritur produktivitetin tek punonjësit.
“IPKO ka vendosur që punonjësve t’ua jap mundësinë e punës hibride, tre ditë nga zyrja dhe dy ditë nga shtëpia. Ne presim që kjo strategji të sjellë produktivitet të shtuar dhe kosto më të ulëta për punonjësit tanë. IPKO ka synim që të ndërtojë sisteme efikase dhe të qëndrueshme në mënyrë që puna nga distanca të monitorohet dhe matet. Ne mendojmë se kjo mënyrë e punës do të mbajë lart produktivitetin pa e humbur natyrën e bashkëpunimit të ekipit dhe ambientit të zyrës”, ka deklaruar Grubi.
Arianit Fazliu, drejtor ekzekutiv i kompanisë Kutia, theksoi se e mirëpresin mënyrën e re të punës dhe se janë të fokusuar në mbajtjen e stafit të angazhuar edhe kur nuk janë prezent.
“Anëtarët që punojnë remote janë gjithmonë të angazhuar në takimet e brendshme të kompanisë, aktivitetet dhe bisedat e përditshme që i zhvillojmë në grupet tona në platformën e komunikimit. Gjithashtu, kohë pas kohë ne organizojmë aktivitete, shëtitje (retreat) përmes së cilave synojmë shoqërimin e anëtarëve të ekipit. Të shpeshta janë edhe takimet 1:1 të cilat mbahen online që si qëllim kanë marrjen e mendimeve, ideve, shqetësimeve apo çfarëdo çështjeje që ata kanë për të diskutuar”, shtoi Fazliu.
Komunikimi i vazhdueshëm është formula që kompania Gjirafa praktikon në mënyrë që të mbajë punonjësit e angazhuar gjatë punës nga distanca.
“Natyra e punës, produktiviteti dhe komunikimi është i njëjtë si për anëtarët që punojnë nga distanca dhe ata në zyrë. Rrjedha e punës vazhdon njëjtë me takime, komunikim të vazhdueshëm në platformat e brendshme të komunikimit. Secili anëtar, qoftë remote apo në zyrë pritet që të respektojë procesin e punës konform principeve dhe vlerave të punës që Gjirafa ka”, tha Greta Kamberi, udhëheqëse e Njerëzve dhe Kulturës në Gjirafa.
Çfarë mund të bëjnë kompanitë?
Kompanitë duhet të fokusohen në përmirësimin e këtyre kushteve në mënyrë që të mbesin në hap me trendet globale si dhe të mbajnë talentin, duke u bazuar në rekomandimet më poshtë:
Riorganizim i punës – Krijimi i mundësive të zgjedhjes për punë në zyrë dhe nga distanca. Kjo u mundëson punonjësve një balanc më të mirë familje/punë si dhe ulje të kostove për ata dhe kompanitë.
Programe per angazhimin e punonjësve - Puna në distancë mund të krijojë një shkëputje nga shprehitë sociale që ofron puna në zyre me kolegë. Andaj, kompanitë duhet të jenë kreative në dizajnim të programeve që u mundëson punonjësve të kenë një eksperiencë të ngjajshme si dhe t’i mbajë ata të angazhuar me kolegët dhe në promovim të kompanisë.
Ri-modelim i menaxhimit të performancës – Kompanitë duhet të investojnë në dizajnimin e praktikave të menaxhimit të performancës për modelet e reja të organizimit të punës duke aplikuar sisteme të vlerësimit të bazuar në objektiva kyce që zbërthehen nga objektivat strategjike të kompanisë dhe të mos varen nga qasja se duhet ta kenë nën kontroll punonjësin para vetes.
Digjitalizim i proceseve dhe avancim i ligjeve – Krahas kompanive, një rol kyc e ka edhe Kuvendi i Kosovës së bashku me Qeverinë për të shtyrë përpara agjendën legjislative për digjitalizim (p.sh nënshkrimi digjital, dokumentet në letër). Kompanitë duhet të automatizojnë proceset e Burimeve Njerëzore dhe menaxhimin e punës në mënyrë që të përshtaten me situatën e re.