Lufta për talentë: Si t’i bëjmë ballë?
Ndryshimet globale drastike të pësuara gjatë tri viteve të fundit kanë rritur sfidat brenda organizatave për menaxhimin me situatën e re dhe përballjen me lëvizjen e madhe të punonjësve. Përgjatë kësaj periudhe, është rritur kërkesa për talentë të specializuar me kushtet e reja të krijuara në treg që përshtaten me kulturën e kompanisë dhe aftësitë e kërkuara.
Ekziston një konkurrencë e ashpër ndërmjet kompanive për të njejtët talentë dhe kjo ka rezultuar në një luftë të hapur, pasi gjetja e talentëve të ri nuk po i bën ballë kërkesës së madhe.
Institucionet arsimore në Kosovë nuk i kanë përditësuar kurrikulat e tyre për t’ju përshtatur kërkesave të tregut, kështu që kompanitë kanë filluar me iniciativa me krijimin e qendrave të trajnimit për të ngritur kapacitetet e punonjësve në mënyra vetanake.
Disa nga sfidat kryesore të punësimit që vazhdojnë në vitin 2023, po i listojmë më poshtë.
Gjetja e talentëve është sfida kryesore që kompanitë janë duke u përballur si pasojë e konkurrencës së madhe, mungesës së talentit adekuat dhe kërkesave jospecifike të organizatave. Sipas studimeve si dhe monitorimeve që TMS i ka bërë portaleve të punësimit, si dhe intervistat me organizata, rezulton që metodat tradicionale të gjetjes së talentëve nuk janë duke dhënë rezultatet e pritura.
Konkurset e punës nuk janë duke tërhequr talentët e duhur për shkak të përshkrimit joadekuat të punës dhe përgjegjësive që kërkohen për pozitën. Talentët e rinj kërkojnë që në fillim të dijnë më shumë për kushtet e punës gjë që do të kursente kohën e dy palëve, por paga dhe benefitet rrallëherë paraqiten në konkurset e hapura të organizatave.
Procesi i stërgjatur i selektimit, me cikle të shumta të intervistave, testime dhe faza është një nga arsyet pse talentët refuzojnë të hyjnë në procese të rekrutimit. Një arsye edhe më e madhe është vonesa apo moskthimi i përgjigjes përfundimtare pas përfundimit të procesit për të njoftuar kandidatin me vazhdimësinë.
Mbajtja e talentit është shumë e rëndësishme sa gjetja e talentit. Kjo është duke u bërë gjithnjë e më e vështirë për shkak të pagave konkurruese që ofrohen nga organizata të tjera ose thjesht sepse punonjësit duan mundësi më të mëdha për avansim në karrierë sesa ato që janë aktualisht në dispozicion brenda organizatës suaj.
Duke u bazuar në disa nga sfidat kryesore që u permëndën më lartë, organizatat duhet të kenë parasysh këto rekomandime:
Rekrutimi duhet të jetë i bazuar në kërkesa specifike qoftë përmes konkurseve apo kontaktit direkt. Procesi i rekrutimit duhet të jetë transparent në kriteret e organizatës dhe benefitet. Punëdhënësit duhet të ofrojnë pako tërheqëse, duke përfshirë skemat e bonusit si dhe motivime tjera financiare, ofrimin e mundësive të shumta të trajnimit dhe mentorimit, në mënyrë që punonjësit të ndihen të vlerësuar dhe të sigurt brenda roleve të tyre.
Ndërtimi dhe riaftësimi i fuqisë punëtorë ekzistuese përmes identifikimit të kapaciteteve dhe shfrytëzimit të tyre ndikon edhe në ngritjen e moralit të punonjësve. Përmes riaftësimit, punonjësit lehtësisht mund të bëjnë tranzicion në një pozitë pune të re brenda kompanisë gjë që kontribuon në zgjerimin e roleve dhe aftësive. Ky proces ndikon drejtëpërsërdrejti në uljen e kostos për gjetjen e talentëve të ri si dhe mbajtjes së top talentëve.
Mbajtja e talentëve është shumë e rëndësishme pasi ajo ndikon në rritjen e kënaqshmërisë brenda organizatës. Punonjësit që ndihen të respektuar dhe të besuar, kompensohen në mënyrë të drejtë dhe kanë mundësinë të përdorin aftësitë e tyre, kanë më shumë shanse të qëndrojnë me organizatat e tyre për një afat të gjatë. Krijimi i një qasjeje të suksesshme të mbajtjes së punonjësve kërkon përpjekje, mbikëqyrje ekzekutive dhe investim, por ajo shpërblehet për organizatat që zbatojnë strategjitë, mjetet dhe proceset e nevojshme për të ruajtur talentin e tyre më të mirë.