Vështrim i trendeve aktuale dhe prioriteteve të së ardhmes
Funksioni i Burimeve Njerëzore ka pësuar transformim të theksuar në vitet e fundit, duke u tërhequr nga roli tradicional administrativ dhe duke u shndërruar në partner strategjik të biznesit që kontribuon në suksesin e organizatës.
Duke parë ndryshimet e vazhdueshme globale të punës dhe punonjësve, tanimë është bërë esenciale që organizatat të funksionojnë përmes modelit të ri të funksionit të BNJ-së, që përputhet me objektivat e biznesit dhe prodhon angazhim të punonjësve dhe performancë të duhur.
Përmes këtij artikulli do të shpalosim të dhënat e mbledhura nga një pyetësor që Talent Management Services realizoi me 93 organizata në industri të ndryshme në Kosovë, për të kuptuar gjendjen aktuale të modelit të funksionit të BNJ-së dhe fokusin e tyre në prioritetet e së ardhmes.
Modeli aktual i Menaxhimit të BNJ-së
Sipas rezultateve, 6 për qind e organizatave në Kosovë kanë departamentin e Burimeve Njerëzorë që operon në nivel ekzekutiv, 29 për qind në nivel të departamentit ndërsa 65 për qind në nivel njësie.
Kjo tregon se shumica e kompanive kanë funksione të decentralizuara të Burimeve Njerëzore që janë më afër njësive të biznesit.Po ashtu, kjo nënkupton se ekziston mospërputhje në praktikat dhe proceset e Burimeve Njerëzore brenda organizatave.
Sipas rezultateve të pyetësorit, përqindja e lëvizjes së punonjësve në këto kompani në vitin 2022 ka qenë 21 për qind, ndërsa në vitin 2021 ishte 23 për qind.
Ky rezultat vë në pah rëndësinë e strategjive efektivë të menaxhimit të talentit që ndihmojnë në mbajtjen e top punonjësve brenda organizatës.
Për më tepër, pyetësori zbuloi se 24% e kompanive janë në nivelin e pajtueshmërisë në maturimin e tyre të burimeve njerëzore, 41% janë në nivelin e zhvillimit, 18% janë në fazën e zhvilluar dhe 18% në fazën e avancuar.
Kjo na bën të kuptojmë se ka ende hapësirë për përmirësime në praktikat dhe proceset e Burimeve Njerëzorë në organizata.
Digjitalizimi i Proceseve të BNJ-së
Sipas të dhënave nga pyetësori, 29 për qind e organizatave përdorin metodat tradicionale të tabelave për menaxhimin e praktikave të BNJ-së, derisa 71 për qind përdorin vegla digjitale për menaxhim të BNJ-së.
Vetëm 50 për qind e organizatave përdorin vegla digjitale për rekrutim, si dhe praktikat tjera të BNJ-së nuk janë të digjitalizuara ende. Kjo thekson nevojën për integrimin e sistemeve të automatizuara të BNJ-së që rrisin dhe përmirësojnë efektivitetin.
Fokusi në prioritetet e së ardhmes
Organizatat janë pyetur që të identifikojnë aktivitetet e ndërlidhura me BNJ-në në dy vjetët e fundit dhe prioritetet në dy vitet e ardhshme. Rezultatet treguan se përmirësimi i përvojës së punonjësve (65%) dhe ngritja e kapaciteteve për hendekun e aftësive (71%) ishin prioritetet kryesore për dy vitet e fundit.
Fuqizimi i menaxherëve të linjës së parë (53%) dhe transformimi digjital i ciklit të punësimit (41%) ishin gjithashtu fusha të rëndësishme të fokusit. Për dy vitet e ardhshme, përmirësimi i përvojës së punonjësve (88%) doli si prioriteti kryesor, i ndjekur nga fuqizimi i menaxherëve të linjës së parë (76%) dhe transformimi digjital i ciklit jetësor të punësimit (53%).
Ndërtimi i kapaciteteve për hendekun e aftësive (71%) dhe shfrytëzimi i të dhënave dhe analitikës për vendimmarrje dhe menaxhim të burimeve njerëzore (41%) u identifikuan gjithashtu si fusha të rëndësishme të fokusit.
Rekomandimet bazuar në rezultatet e pyetësorit
Duke u bazuar në të dhënat e mbledhura nga pyetësori me 93 organizata në Kosovë, më poshtë do të listojmë disa rekomandime:
Centralizimi i Funksioneve të BNJ-së – Derisa decentralizimi ndihmon në afrimin e njësive të biznesit, mund të cojë po ashtu në mospërputhje me praktikat dhe proceset e BNJ-së. Andaj, organizatat duhet të konsiderojnë centralizimin e funksioneve të BNJ-së për të siguruar standardizim dhe konsistencë.
Adoptimi i Sistemit të Integruar të BNJ-së – Me rritjen e përdorimit të teknologjisë në BNJ, organizatat duhet të konsiderojnë adoptimin e sistemeve të integruara të BNJ-së që dizajnojnë proceset dhe rrisin efikasitetin.
Fokusi në Përvojën e Punonjësve – Përmirësimi i përvojës së punonjësve, sipas rezultateve të pyetësorit, është prioriteti kryesor i organizatave në dy vitet e ardhshme. Kompanitë duhet të kenë prioritet krijimin e një mjedisi pune pozitiv dhe tërheqës që mund të ndihmojë në tërheqjen, mbajtjen dhe zhvillimin e top talentëve.
Si përfundim, funksioni i BNJ-së ka evoluar ndjeshëm gjatë viteve dhe me ndryshimin e peizazhit të punës dhe fuqisë punëtore, është bërë thelbësore për organizatat që të miratojnë një model të ri operimi të BNJ-së që përputhet me qëllimet e tyre të biznesit dhe nxit angazhimin dhe performancën e punonjësve.